Bie nga shkallët, 38 vjeçari vdes në vendin e punës

Sot në stacionin policor të Fushë Kosovës është iniciuar një rast si vdekje e dyshimtë.

Rasti ka të bëjë me një vdekje në vendin e punës që ka ndodhur në fshatin Sllatinë, saktësisht brenda një objekti ku viktima ishte duke punuar.

Viktima mashkull, i lindur në vitin 1981 sot rreth orës 11:30 gjatë kohës që ishte duke punuar, dyshohet të ketë rënë nga shkallët, nga një lartësi 4-5 metra dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në raportin e Policisë.

I njëjtë menjëherë është përcjellë në QKUK, ku nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e tij.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndërkohë që me rastin po merren policia dhe institucionet e tjera.