Çollaku: Qeveria e ka mbështetjen e PDK-së për marrëveshje, por jo për aventura si kjo në veri

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Bekim Çollaku, ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen absolute të partive opozitare për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

Ai tha se qeveria e ka mbështetjen për marrëveshje, por jo, sipas tij, për aventura.

“E ka mbështetjen për të bërë një marrëveshje përfundimtare dhe për ta përmbyllur një herë e përgjithmonë këtë sagë të gjatë të dialogut me Serbinë”

“Konsesusi është i domosdoshëm, PDK-ja e ka vullnetin e plotë që ta luaj rolin e vetë konstruktiv në përmbylljen e këtij procesi dhe ne këtu s’kemi asnjë dilemë, sepse dialogu, ky që e ka bërë Kosovën shtet normal dhe e ka integruara në arenën ndërkombëtare, i ka dhënë rezultate e veta pozitive dhe ne jemi të bindur se vetëm më përmbylljen e këtij procesi, Kosova do të arrijë ta përmbyll edhe procesin e gjatë të shtet-ndërtimit”, është shprehur Çollaku në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se aventurë e qeverisë është ajo se çka po ndodh në veri të Kosovës.

“Rrezikimi i sistemit tonë unik juridik në veri është një aventurë e paparë, dhe për këtë qëllim, kryetari i PDK-së, i vetëdijshëm për tensionet dhe situatën e ndjeshme që është totalisht jashtë kontrollit të institucioneve tona për momentin në veri, i bëri ftesë kryeministrit për një takim të përbashkët në të cilin kryeministri u përgjigj në mënyrë pozitive dhe mendoj se bëri mirë”.

“Gjithë kjo cfarë ka ndodhur është një kthim mbrapa, por përderisa ne flasim, veriu i Kosovës është në mungesë totale të sundimit të ligjit dhe kjo është si pasojë e veprimeve amatoreske të kësaj qeverie”, është shprehur Çollaku.