Deputeti i AAK-së paralajmëron “furtunë” në Kuvendin e Kosovës

Deputeti i Aleancës për Armërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, në një intervistë për Front Online ka treguar se si do të sillen në raport me Qeverinë e re, pasi që kryeministri i porsazgjedhur kërkoi bashkëpunim me opozitën.

Berisha tha se do të veprojnë konform rregullave parlamentare të opozitës derisa tha se kushdo që vjen në Qeveri kërkon bashkëpunim, por kur del në opozitë sërish gjuan me ve.

“Ne do të sillemi brenda rregullave të parlamentarizmit të opozitës, z.Kurti e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, por ne do t’i kryejmë detyrat tona, zakonisht kushdo që vjen në pushtet e shtrinë dorën e kur del në opozitë gjuan me ve”, ka thënë Berisha.

Ai nuk e ka përjashtuar bllokimin e Kuvendit të Kosovës në raste se bëhet diçka në dëm të vendit.

“Gjatë qeverisjes tonë nuk ka pasur ndonjë bllokim nga opozita, në fillim pak, por nëse është e nevojshme, nëse rrjedhat shkojnë në dëm të vendit do të bëjmë krejt çka është e mundshme që ta kthejmë në binarët e duhur”, deklaroi deputeti Berisha.

I pyetur se a do të bashkëpunojnë me pjesën tjetër të opozitës për ta kundërshtuar qeverinë e re, Berisha tha se fillimisht duhet ta presin 100 ditëshin e qeverisë Kurti.

“Ne e kemi subjektin tonë, kur të mundemi me bashkëpunu me pjesën tjetër të opozitës do ta bëjmë, por sigurisht që e kemi idenë tonë se çfarë do të paraqesim dhe është mirë me pritë 100 ditëshin sepse z.Kurti ende pa e marrë detyrën është zhveshur nga disa parime e premtime që i ka dhënë mirëpo si opozitë është mirë me i pritë 100 ditë me pa se çfarë po bënë”, tha Berisha për Front Online.

Deputeti i AAK-së foli edhe për taksën të cilën e vendosi ish-kryeministri Haradinaj.

Ai tha se taksa nuk duhet të hiqet dhe se reciprociteti të cilin Kurti po e përmend në raport me Serbinë është vetëm sa për t’iu hedhur hi syve të qytetarëve të Kosovës.

“Ne taksen 100% e kemi kushtëzuar, është mirë me mbajt dhe duhet me mbajt mirëpo nëse insiston me na ‘qitë hi syve’ se reciprociteti është diçka më e madhe se taksa ajo nuk qëndron, ajo është një mashtrim për me heq taksën, më mirë është me thënë se jemi ngushtë a e bëjmë një konsensus se duam të hyjmë në negociata dhe unë po du me thy parimet dhe nuk më intereson asgjë, kështu do ta kuptojmë më drejt, por nëse insiston se reciprociteti është diçka më e madhe pse BE-ja po donë me heq e nuk po i intereson fare reciprociteti”.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës sa ka qenë në opozitë e pati akuzuar AAK-në për keqpërdorime financiare dhe punësim të militantëve partiak, lidhur me këtë deputeti i kësaj partie, Bekë Berisha, tha se Albin Kurti nuk ka lënë asnjë metodë pa e përdorur për të ardhur në pushtet, por të gjitha ato akuza që i ka bërë do t’i kthehen pasi që, sipas Berishës, është një energji e akumuluar kundër Kurtit.

Gjatë intervistës Berisha foli edhe për liderin e LDK-së, Isa Mustafa. Ai tha se një njeri i sistemit jugosllavë për tre muaj e zhveshi Kurtin duke e bërë si letër.

“Unë, Isa Mustafës i pata thënë si i paaftë politikisht, por ai doli që e zhveshi Kurtin, një djalë të ri një njeri i sistemit jugosllavë ta zhvesh për dy tre-muaj e ka bërë si prej letre, dmth partneri i vetë nuk i beson dhe do ta zhvesh prapë dhe kështu unë e parashoh një qeverisje me fjalë të mëdha, me deklarata interesante siç ja ka filluar tani, mirëpo me punë pak thuajse ato premtime që i pamë në Kuvend kanë me mbet në letër si qeverisja e princ Vidit në Shqipëri”, u shpreh ai.