Dhjetëra migrantë vdesin pas përmbytjes së anijes në Libi

Të paktën 45 migrantë, përfshirë pesë fëmijë, kanë vdekur në Libi pas përmbytjes së anijes.

Ata ishin në mesin e 80 personave që ishin pjesë e bordit të anijes, motori i së cilës shpërtheu në brigjet e Zwara, ka thënë UNHCR.

Vdekjet u raportuan nga rreth 37 të mbijetuar që u shpëtuan nga peshkatarët vendas, transmeton Klan Kosova.

Si UNHCR ashtu edhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) kanë bërë thirrje që përpjekjet për kërkimin dhe shpëtimin e migrantëve të rriten.

Ata thanë se pa një mekanizëm të dedikuar enkas për kërkim dhe shpëtim të migrantëve do të humbin edhe më shumë jetë në Detin Mesdhe.

Më shumë se 300 njerëz dihet se kanë vdekur deri tani duke provuar të kalojnë nga Libia në Europë përmes detit, derisa besohet se shifra aktuale është shumë më e lartë.

Që nga rrëzimi dhe vrasja e ish-udhëheqësit të saj Muammar Gaddafi në vitin 2011,  Libia është bërë vendi kryesor tranzit për migrantët.

Por, kushtet për migrantët atje janë të rrezikshme derisa UNHCR dhe IOM kanë paralajmëruar se ata janë “në rrezik të konfliktit të vazhdueshëm, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe ndalimit arbitrar pas zbarkimit”.

Të mbijetuarit e anijes së të mërkurës, që ishin kryesisht nga Senegali, Mali, Chad dhe Ghana, janë arrestuar sapo kanë zbarkuar në Libi.