Digjet objekti i Kooperativës Bujqësore të grave të Krushës së Madhe

Objekti i “Kooperativës Bujqësore Gratë e Krushës së Madhe” është përfshirë sot nga zjarri, duke shkaktuar kështu dëme të mëdha materiale.

Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga shpërthimi i disa gypave në kohën kur po bëhej konservimi i përpunimit të specit.

Mësohet se fatmirësisht përveç dëmeve materiale nuk ka lëndime në njerëz.

Përveç institucioneve relevante në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe qytetarët të cilët kanë ndihmuar në fikjen e zjarrit.

Shefi i Kabinetit të Kryetarit të komunës së Rahovecit Veli Gashi ka thënë për KosovaPress se ekipi i komunës, Policia e Kosovës dhe drejtoria e emergjencave kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

“Ekipi i kryetarit kemi dalë në terren me drejtorinë e emergjencave dhe Policinë e Kosovës, kemi qëndruar gjatë gjithë kohës aty afër. Është shkaktuar një numër i konsiderueshëm i dëmeve materiale, ndërsa për fat të mirë nuk ka të lënduar në njerëz. Gjithashtu një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kanë ndihmuar në fikjen e zjarrit”, tha Gashi.

Ai u zotua se institucione komunale do të bëjnë të pamundurën për t’u dalë në ndihmë siç tha ai grave të Krushës të cilat me shumë mund e kanë krijuar këtë kooperativë.

“Si institucione komunale do të bëjmë përpjekjet maksimale tu dilet në ndihmë, këtyre grave ku zonja Fahrije Hoti me gratë e tjera që janë të veja me shumë mund kanë bëre realizmin e kësaj kooperative”, tha Gashi.

Kujtojmë se gratë kryefamiljare të Krushës së Madhe, nga paslufta kanë arritur të bëhen biznesmene të njohura në kultivimin, prodhimin dhe konservimin e perimeve. Prodhimet e tyre përveç tregut të brendshëm, kanë depërtuar edhe në vende të tjera të Evropës.

Falë donacioneve të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore, Farije Hoti kishte përfituar një objekt modern me kushte të mira për përpunimin dhe ruajtjen e produkteve./KosovaPress/