Escobar: Edhe nëse Albin Kurti nuk do, do të formohet Asociacioni

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një intervistë për të përditshmen vjeneze Presa se Asociacion i komunave me shumicë serbe duhet të formohet dhe se pyetja e vetme është nëse Kosova dëshiron të presë integrimin euroatlantik deri në kryerjen e obligimit nga kryeministri Albin Kurti.

Escobar theksoi se “Kosova tani duhet të lëvizë urgjentisht”, dhe tregoi se themelimi i Asociacionit është një obligim ndërkombëtar, ligjor, i ndërmarrë shumë vite me parë.

“Nuk varet nga ai. Nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Është çështje mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse Kurti nuk do, do të formohet Asociacioni”, theksoi Eskobar i pyetur për kryeministrin e Kosovës i cili po reziston të nisë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai theksoi se pyetja e vetme është nëse Kosova dëshiron të presë integrimet euroatlantike derisa kryeministri të përmbushë obligimet e tij.

Siç thotë ai, nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë Srpska të re si në Bosnje dhe Hercegovinë, atëherë duhet të paraqesë propozimin e saj për atë që dëshiron.

“Ata na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan, kjo është ajo që ne po presim,” tha Escobar.

Mosgatishmëria e Kosovës për të lëvizur në këtë çështje, sipas tij, tregon “mosgatishmërinë për t’u pajtuar në vendin e saj”.

Mesazhi ynë për Kosovën dhe Serbinë është – derisa të dyja palët të zbatojnë marrëveshjet e rëndësishme nga marrëveshja e normalizimit, nuk është koha për “biznes si zakonisht”, nënvizoi Escobar.

Ai po ashtu tha se Serbia duhet të dërgojë një mesazh të qartë se nuk toleron dhunën, si ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, ashtu edhe ndaj Policisë së Kosovës.