Gjashtë muaj pas aksionit, hetuesit e Speciales i kthejnë pajisjet që i konfiskuan në OVL-UÇK

Gjashtë muaj pasi kryen një bastisje tejet të madhe në zyrat e Organizatë së Veteranëve të Luftës së UCK-së në Prishtinë, zyrtarët e Prokurorisë Speciale në Hagë pritet që nesër t’i kthejnë pajiset të cilat i patën marrë më 25 shtator të vitit 2020, transmeton Fokusi.info.

Kjo gjë është bërë e ditur nga u.d së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Klinaku deklaroi se tashmë kanë autorizuar avokatin , Tome Gashi që nesër të shkojë tek zyrat e Speciales në Fushë-Kosovë që t’i marrë pajisjet në fjalë.

Tutje ai theksoi se Prokuroria Speciale në Hagë duhet të jap sqarime se çfarë në fakt ka gjetur në ato pajisje.

Marrja e këtyre pajisjeve ishte bërë pikërisht në ditën kur edhe janë arrestuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në Hagë është duke vazhduar një proces gjyqësorë ndaj dy të lartpërmendurve si dhe ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi e figura të tjera të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar kinse për krime lufte në Kosovë.

Postimi i plotë:

Zyrtarët e Prokurorisë Speciale në Hagë, 6 muaj pas bastisjes në selinë qendrore të OVL UÇK-së në Prishtinë, më kanë njoftuar se nesër 24.03.2021 në ora 10:00, do t’i kthejnë pajisjet të cilat i kanë marrë me 25.09.2020, në të njëjtën ditë kur i arrestuan padrejtësisht kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Ne kemi autorizuar avokatin e OVL të UÇK-së z.Tomë Gashi, i cili nesër, në kohën e lartëshënuar, do të shkoi në zyret e Prokurorisë Speciale të Hagës, që janë në kompleksin e EULEX-it në Fushë Kosovë, që t’i marrë pajisjet tona.

Prokuroria Speciale në Hagë, duhet të jap sqarime se çfarë ka gjetur në pajisjet tona…?.