Halil Thaçi i VV-së: Veteranët e kanë vërejtur që po manipulohen nga PDK-ja e AAK-ja

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, protestuan të shtunën që shkoi në Prishtinë së bashku me deputetë të partive opozitare, kundër qeverisë Kurti dhe ligjit për pagën minimale që u votua në Kuvend, në të cilin nuk janë përfshirë kategoritë e dala nga lufta.

Halil Thaçi, deputet nga radhët e pushtetit, thotë se protestës i prin pikërisht ata deputetë që bënë ndarjen mes ligjit për pagën minimale dhe pensionit të veteranëve.

“Secili është i lirë të protestoj, por kur ta shikosh se kush u prin veteranëve janë deputetët që e kanë votuar ndarjen e ligjit te pagës minimale me ndarjen e pagës se veteranëve. Ne vitin 2016 është votuar ndarja e pagës minimale nga pensioni i veteranit. Qe nga ajo kohë ekziston një ligj, ku paga e veteraneve nuk përfshihet. E kane votu Bekim Haxhiu e Hajdar Beqa që ishin në radhë të parë të veteranëve”.

Sipas tij, veteranët e kanë hetuar se po manipulohen nga partitë opozitare.

“Kosova nuk i ka veç ata veteranë, me krejt respektin e tyre, veteranët e kanë vërejt që po manipulohen nga partitë opozitare, PDK dhe AAK. Ka shume veteranë qe nuk ishin në proteste sepse e dinë se këto parti e kanë nda pagën e tyre nga paga minimale”.