Haradinaj bën thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilani

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilani sot në Karantinën e Qendrës Studentore në Prishtinë.

Haradinaj ka shkruar se me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së tij për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim.

Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin.

Postimi i tij i plotë:

I tronditur nga humbja tragjike e jetës së të riut nga Gjilani në Karantinën e Qendrës Studentore në Prishtinë. Me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së tij për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim. Përkundër të gjithave, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin, pikërisht në këtë kohë kur të gjithë jemi vënë në alarm dhe gatishmëri, që asnjë jetë të mos humbet nga papërgjegjshmëria. Bëj thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e kësaj tragjedie. Ngushëllime të thella familjes Musliu.