Hasani për Express: Thaçi duhet t’u thotë amin kërkesave për zgjedhje

Ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i del punë sa herë në Kosovë bie ndonjë qeveri.

Në këso periudha ai zakonisht duhet t’i japë opinionet profesionale për aspektet kushtetuese, por edhe të përplaset me politikanë të ndryshëm, të cilët ankohen për vendimet që ai ka sjellë gjatë kohës sa ka qenë në krye të Gjykatës kryesore në vend.

Teksa topi tani është në terrenin e presidentit, në një intervistë me shkrim për Gazetën Express, Hasani ka thënë se shefi i shtetit ka të drejtë vetëm të dëgjojë e jo të bëjë ndonjë veprim krye në vete. Sipas tij, PAN-i ka të drejtë t’ia propozojë vetëm një herë mandatarin për kryeministër kreut të shtetit, e të njëjtën të drejtë e gëzon edhe “shumica tjetër”. Hasani ka folur edhe për “heshtjen” e ambasadave, “kujdestarinë” qeveritare të Haradinajt dhe se kush do ta krijojë qeverinë e re.

Gazeta Express: Kryeministri Haradinaj dha dorëheqje të premten duke krijuar me këtë akt një situatë përsëri të paprecedentë dhe duke shkaktuar huti në opinion se cilët duhet të jenë hapat e mëtejmë. A reagoi me kohë presidenti dhe çfarë prisni nga paralajmërimi i tij dje se do të zhvillojë konsultime me partitë dhe koalicionet për hapat e mëtejmë?

Enver Hasani: Unë mendoj se jo. Presidenti i Republikës duhet të jetë garantues i sigurimit funksional dhe i stabilitetit të institucioneve që nga momenti kur jepen shenjat se institucionet kanë tendencë për të qenë jofunksionale dhe jo stabile. U mor vesh, këtu bëhet fjalë për institucionet në formimin e të cilave ka rol kushtetues. I tillë është rasti me ekzekutivin nacional, ku presidenti aminon (miraton) një propozim të forcave politike që reflektojnë fuqinë e tyre të dalë nga vota e zgjedhjeve të fundit nacionale.

Gazeta Express: Fakti që të gjitha partitë po kërkojnë zgjedhje pra edhe këto që janë pjesë e PAN-it, e bëjnë më të qartë situatën se çfarë duhet bërë. Pra presidenti duhet t’i dëgjojë partitë që të shpallet data e zgjedhjeve?

Enver Hasani: Saktë. Shumë e vërtetë. Presidenti nuk ka diskrecion në shpalljen e zgjedhjeve nëse ato kërkohen nga forcat politike sipas kushteve të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj. E njëjta vlen edhe për situatën nga Neni 95.5 i Kushtetutës.

Gazeta Express: A mund t’ua japë presidenti mandatin për formimin e qeverisë herën e dytë atyre që nuk janë në PAN, me kusht që ata ta kenë shumicën aktive në Kuvend?

Enver Hasani: Po dëgjoj zëra, që presidenti mund t’ua japë mandatin atyre që kanë shumicë në Kuvend herën e dytë. Kjo nuk është kështu sepse ky nen i Kushtetutës është interpretuar ashtu që herën e dytë mund t’u jepet atyre që kanë një shumicë tjetër vetëm atëherë kur hera e parë ka dështuar si pasojë e propozimit të atyre që kanë dalë fitimtarë në zgjedhje. Herën e parë domosdo duhet të jetë kandidati nga PAN-i sepse vetëm ai është fitues i zgjedhjeve.

Nëse në rastin konkret, PAN-i nuk paraqet një kandidat me konsensus, atëherë radha e dytë nuk mund të zhvillohet sepse është jokushtetuese. Herën e dytë mund të bëhet ndryshe vetëm nëse respektohet radha e parë siç duhet dhe siç thotë Kushtetuta. As këtu presidenti nuk ka asnjë diskrecion, por duhet t’i ndjekë kriteret kushtetuese, ashtu siç janë interpretuar me aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta Express: Por presidenti ka të drejtë ta pyesë koalicionin PAN nëse do ta japë një kandidat tjetër për ta arnuar këtë qeveri?

Enver Hasani: Presidenti ka të drejtë vetëm të dëgjojë, sipas radhës së fitimtarëve në zgjedhjet e fundit, cilat janë propozimet e tyre për kandidatin për ekzekutiv. Asnjëherë presidenti nuk mund të kualifikojë ose ricilësojë propozimet e forcave politike, sepse atë e ka bërë Kushtetuta e Kosovës, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, i njohur si aktgjykimi për rastin VLAN , me të cilin është interpretuar mënyra (procedura) e formimit të organeve qendrore kushtetuese pas zgjedhjeve dhe, në rastin e ekzekutivit, në çdo rast tjetër kur ai humb mandatin e vet kushtetues dhe pushon së ekzistuari.

Gazeta Express: Nëse arrihet pajtimi te presidenti për datën e zgjedhjeve, a është i domosdoshëm votimi formal për shpërndarjen e Kuvendit?

Enver Hasani: Sipas Nenit 82.2 të Kushtetutës, Kuvendi shpërndahet në momentin që numërohen votat në Kuvend dhe shihet që ekzistojnë dy të tretat e votave të deputetëve për shpërndarjen e vetvetes. Presidenti aty nuk ka asnjë punë. Presidenti vetëm mund ta caktojë datën e zgjedhjeve, asgjë tjetër.

Gazeta Express: Ju thoni se Ramush Haradinaj s’ka të drejtë të dalë në vendin e tij të punës? Kush do të duhej në këtë rast ta kryente rolin kujdestar që u përshkruhet qeverive kur zakonisht bie kryeministri dhe qeveria?

Enver Hasani: Shërbimi civil dhe shërbyesit tjetër publikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, janë kurrizi i shtetit dhe i funksionimit të administratës së tij. Ai mund të dalë në zyrë, por asnjëherë nuk ka më të drejtë të nënshkruajë apo të marrë vendime, të cilat do t’i marrë në pajtim me Nenin 94 të Kushtetutës së Kosovës dhe, si anëtar i Qeverisë, edhe ato nga neni 93 i po kësaj Kushtetute. E njëjta vlen edhe për secilin anëtar të Qeverisë së Kosovës. Ka rëndësi të ceket, po ashtu, se edhe në vendet ku ka një kushtetutë apo ligj që kufizon kompetencat e shefit të qeverisë dhe të vet organit që udhëheq, nuk lejohet që të njëjtët të ushtrojnë në kapacitet të plotë autorizimet e tyre kushtetuese. Zakonisht me kushtetutë dhe ligj kufizohen politika e jashtme, buxheti, propozimi dhe ekzekutimi i ligjeve dhe politikat sociale.

Gazeta Express: Haradinaj u përgjigj se do të vazhdojë të kryejë punën e kryeministrit në detyrë, duke thënë se të gjithë ata që kanë ndonjë dilemë le t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. A ka vend për diçka të tillë?

Enver Hasani: Ai është vlerësim politik i tij, të cilin nuk mund ta komentoj sepse nuk kam ekspertizë në gjëra të tilla.

Gazeta Express: Si e komentoni faktin që publikisht nuk ka ndonjë ndërhyrje nga ambasadat me ndikim që nuk po dalin me deklarata se çfarë duhet bërë? Ta zëmë ambasadori gjerman tha se qeveria duhet të krijohet shpejt pa i përmendur zgjedhjet fare dhe kjo la vend për spekulime? Pse nuk ka ndonjë ‘opinion’ nga ambasadat?

Enver Hasani: Mendoj se dy janë arsyet për këtë që thoni. E para, sepse Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe ata duan që kjo të respektohet sepse kështu e ka partneriteti në mes të shteteve mike. E dyta, sepse liderët tanë jo çdoherë kanë dëgjuar këshillat e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar ashtu që, sërish në respektim të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës, kanë abstenuar dhe abstenojnë në çështje ku nuk mund të kenë ndikim substancial. Këto dy arsye bëjnë të ditur se Kosova ngelet e tëra me vetveten për të marrë përgjegjësitë që i takojnë si shtet.

Gazeta Express: Ka shumë spekulime dhe hamendje se cila do të jetë qeveria e re. Pavarësisht se Haradinaj formalisht u largua nga qeveria për shkak të ftesës që mori nga Gjykata, i bie qe qeveria e re do të krijohet nga ata që nuk ishin në “konflikt” me ndërkombëtarët për shkak të taksës dhe që janë pro vazhdimit të dialogut? A pajtoheni?

Enver Hasani: Unë besoj se janë agjendat ato që përcaktojnë këtë që ju pyesni, jo profili i caktuar psikologjik, intelektual, social dhe tjetër i liderëve të sotëm dhe të nesërm të Kosovës. /GazetaExpress/