Hoxhaj deklarohet pas takimit, tregon se çfarë kërkoi nga Kurti dhe Osmani

Ka përfunduar takimi i zhvilluar në mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit, u.d së presidentes Vjosa Osmani me u.d së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Pas këtij takimi para mediave është deklaruar u.d së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj i cili tha se në këtë takim kanë paraqitur 10 pika të cilat duan t’i dinë nga drejtur i VV-së, Albin Kurti si dhe nga Vjosa Osmani e që kanë të bëjnë me zhvillimet brenda Kosovës dhe në zhvillimet diplomatike të saj.

Hoxhaj deklaroi se PDK është pro dialogimit dhe se vetëm në këtë formë mund të arrihet diçka në vend.

Deklarimi i plotë i Hoxhajt i bërë para mediave:

Kishim një takim shumë të mirë me kryetarin e VV-së, Albin Kurti dhe zonjën Osmani nga koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve dhe ishte një takim pas kërkesës sonë si PDk që procesi i formimit të institucioneve mund të ndodhë vetëm me një dialog të brendshëm në mes të opozitës dhe atyre që i kanë fituar këto zgjedhje.

Dua tu them se qasja jonë në takim ka qenë konstruktive, por edhe parimore dhe ne kemi pasur kërkesa dhe çështje të qarta të cilat i kemi ngritur në këtë takim.

Së pari mendojmë që në procesin e krijimit të institucioneve qoftë edhe të zgjedhjes së presidentit, para se të flitet për personin duhet të flitet për parime dhe këto parime duhet të përcaktojnë se kush mund të jetë president i ardhshëm i Republikës.

Natyrisht se Kosova ka nevojë për stabilitet e qartësi politike e ne kemi nevojë për lider institucional që e bashkojnë skenën politike, krijojnë unitet tek populli dhe avancojnë marrëdhëniet e Kosovës me botën e jashtme.

Para se të shkojë në një qasje më specifike më lejoni tu kujtojë se meqë jemi në vitin 2021, pas 10 vitesh ky është takimi i parë që ndodhë në një komunikim normal në mes të qeverisë së ardhshme dhe opozitës dhe kjo ndodhë falë kulturës politike të PDK-së dhe qasjes sonë si parti politike që përmes dialogut do të mund të japim secili prej nesh kontributin tonë në krijimin e institucioneve të reja.

Nëse juve u duhet një pamje dua t’ua kujtojë që për herë të parë qeveria dhe opozita janë takuar për të biseduar për procesin e formimit të institucioneve, konkretisht të zgjedhjes së presidentit në vitin 2011 kur ne si PDK e kemi udhëhequr qeverinë dhe me liderin e opozitës z.Mustafa e kemi zgjedhur zonjën Jahjaga si presidente të vendit.

Pas 10 vitesh, në 2021 ndodhë një takim i tillë. Meqë temë kryesore e takimit tonë ka qenë koordinimi dhe bashkëpunimi për temat e politikës së jashtme, më lejoni që t’u them se ne kemi kërkuar nga z.Kurti dhe zonja Osmani qartë si për qasjen e tyre në raport me politikën e jashtme, meqë presidenti i ardhshëm i vendit ka rol në përfaqësimin e Republikës sonë, Qeveria ka rol të madh në formulimin e politikës së jashtme dhe këtu kemi kërkuar një qartësi të plotë. Prandaj edhe sjellja jonë në raport me krijimin e institucioneve të reja të vendit para se të marrë vendimin PDK, para se të marrim vendimin në organet e partisë varet prej 10 qëndrimeve të cilat kemi ngritur në takim.

Së pari meqë jemi në hollin e Kuvendit, sa herë ka pas zgjedhje të Qeverisë në këto 10 vitet e fundit apo zgjedhje të presidentit e dini se institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është ushtruar dhunë ndaj tyre, në seancë duke hedh gaz e së fundi në zgjedhjen e presidentit është goditure dhe vetë ndërtesa e Kuvendit dhe e kujtoj mirë këtë ngjarje si deputet.

E kemi pyetur z.Kurtin a distancohet nga një dhunë e tillë politike, sepse këto gjëra ndodhën para 4-5 vitesh e jo para 100 vitesh.

Së dyti meqë dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi është prioritet për institucionet e ardhshme në të kaluarën VV dhe Kurti kanë thënë se pa kërkuar falje Serbia dhe pa i gjetur të gjithë të pagjeturit nuk do të ulen në takim me Beogradin. Së treti kanë pasur qëndrim se do të anulojnë marrëveshjen për Asociacioni e Komunave me shumicë serbe. Së katërti kam ngritur çështjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi,meqë e dini ka një shkëmbim të letrave në mes të presidentëve dhe parashihet rishikimi i vijës kufitare dhe është e rëndësishme se a do të kthehet kufiri pikërisht në Zhleb dhe Cakor, një temë që është përdorur për çështje të politikës së brendshme dhe ishte temë e politikës së jashtme. A e respektojnë Marrëveshjen e Uashingtonit në tërësi? Dhe cili është qëndrimi i tyre për marrëveshjen e mini-shengenit, që ne si PDK e kemi kundërshtuar, por edhe vetë z.Kurti dhe VV.

Gjatë qeverisë Kurti është suspenduar politika e jashtme e Kosovës,përmes një memoratoriumi duke heq dorë nga anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, nga njohja e mëtutjeshme e Kosovës, cili është qëndrimi i tyre?.

A do të vendos qeveria e ardhshme dhe a do të mbështesë presidentja e ardhshme një reciprocitet të plotë, ekonomik e tregtar me Serbinë?

Pra mbetet në listën e temave se si e shohim raportin tonë si opozitë , në raport me institucioneveqë do të krijohen.

Natyrisht se këtë takim që kishim me Kurtin dhe Osmanin ne do ta diskutojmë në organet e PDK-së dhe mandej do të dalim me qëndrimin tonë se si do të jetë qëndrimi jonë dhe cila do të jetë qasja e PDK-së në raport me krijimin e institucione të reja të Kosovës.

One thought on “Hoxhaj deklarohet pas takimit, tregon se çfarë kërkoi nga Kurti dhe Osmani

  1. Pingback: AAK nuk garanton kuorumin për president, Haradinaj thotë se nuk është detyrë e jona | FOKUSI

Comments are closed.