Ish-kryenegociatorja Tahiri: Kurti e ka pranuar Asociacionin, për të pushteti është para shtetit

Pa ndonjë rezultat ka përfunduar takimi i 14 shtatorit në Bruksel.

Pas takimit, përfaqësuesit e BE-së deklaruan se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm për të çuar procesin përpara.

Por, ndryshe nga ta është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se në takim kishte paraqitur një plan për zbatimin e marrëveshjes, por që i njëjti është refuzuar nga Serbia dhe evropianët.

Për këtë takim dhe atë se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen si shkak i mosarritjes së ndonjë rezultati, për Front Online ka folur ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri.

Ajo ka thënë se në këtë takim kanë dështuar të dyja palët, si Kosova e po ashtu edhe Serbia.

“Të dyja palët dështuan edhe Kosova edhe Serbia duke mos treguar vullnet politik për të përmbushur obligimet zbatuese nga ky dialog e që lidhet me ardhmërinë evropiane dhe euroatlantike të dyja shteteve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell në deklaratën e tij pas këtij takimi bëri të qartë madje me tone kërcënuese se integrimi evropian i dyja shteteve po rrezikohet. Njëkohësisht aleati ynë strategjik Amerika u shprehë shumë e shqetësuar me dështimin e këtij takimi”, ka deklaruar Tahiri për Front Online.

Derisa ka shtuar se takimi shfaqi mosgatishmërinë e dyja palëve për të çuar përpara procesin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në fund të tetorit sivjet, e njohur si plani franko -gjerman.

Edita Tahiri: Amerika dhe BE-ja do t’i ndëshkojnë të dyja vendet, Kosova do të jetë më e ndëshkuar dhe më e izoluar

Ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, në një intervistë për Front Online ka thënë se në procesin e dialogut nuk ka fajtorë, por vetëm nivel më i lartë dhe më i ulët.

Por, deklaron se kryeministri Kurti duhet ta dijë se përparimi në procesin e dialogut është në interes të Kosovës.

“Fajtorë nuk ka në një proces dialogu për paqe në rajonin tonë, ka vetëm nivel ma i lartë apo më i ultë të përgjegjësisë së palëve ndaj obligimeve për një marrëveshje të cilën të dyja e pranuan si marrëveshjen bazike ( në shkurt të këtij viti) dhe planin zbatues i njohur si marrëveshja e Ohrit. Për mendimin tim Kosova dhe Kurti duhet ta dijnë se përparimi i dialogut të Brukselit është në interes të Kosovës për rritjen e njohjeve nga katër vende të BE-së mosnjohëse, për avancimin e rrugës euro-atlantike të Kosovës por edhe në përgjithësi për forcimin e pozitës gjeopolitike dhe ndërkombëtare të Kosovës në botë”, ka shtuar Tahiri.

Kurse, sa i përket Serbisë ka deklaruar se kësaj të fundit i intereson që sa më shumë dialogu të ngec.

“Sa për Serbinë, asaj i intereson që sa më shumë të ngec ky dialog, sepse është shtet i njohur si dhe Vuçiqi e ka parasysh se deri te integrimi evropian duhen së paku shtate vjet, prandaj do ta zvarrit dialogun për aq sa mundet”, ka thënë ajo.

E, si shkak i mos arritjes së ndonjë rezultati në takimin e 14 shtatorit, Tahiri ka pohuar se edhe Kosova edhe Serbia do të ndëshkohen nga Amerika dhe BE-ja.

“Në këtë kuadër mendoj se nuk ka dyshim që pas këtij takimi dhe sidomos për faktin se tensionet po vazhdojnë në veri të vendit tonë të dyja palët do të ndëshkohen nga partnerët Amerikan dhe BE-së. Mirëpo, Kosova do të dëmtohet më shumë, do të jetë më shumë e ndëshkuar dhe më shumë e izoluar”, është shprehur Tahiri.

Ish-kryenegociatorja Tahiri: Për fajet e kryeministrit Kurti, Kosova u ndëshkua nga Amerika

Si shkak i mosshtensionimit të situatës në veri të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian vendosën masa ndaj Kosovës.

E, për këtë ish-kryenegociatorja Edita Tahiri thotë për Front Online se fajet i ka kryeministri Albin Kurti.

“Për fat të keq dhe për fajet e kryeministrit Kosova u ndëshkua nga Amerika, aleati jonë kryesor, me përkrahjen e të cilit ne sot gëzojmë lirinë dhe pavarësinë. I erdhi Kosovës një kryeministër i cili pas 30 vjetësh të aleancës së palëkundur me Amerikën, aleancë kjo që e kishim arritur me mençuri në vitin 1992, me përpjekje të jashtëzakonshme diplomatike dhe të mija personale si Ministre e Jashtme e Kosovës në kohët e rënda të okupimit të Kosovës, si dhe me luftë paqësore e të armatosur të popullit të Kosovës për ta realizuar ëndrrën e lirisë dhe krijimin e shtetit të pavarur”, ka deklaruar Tahiri.

Tahiri: Kurti e ka pranuar Asociacionin, nuk dëshiron ta zbatojë sepse e di se mund t’i humbë zgjedhjet

Ish-kryenegociatorja dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri në një intervistë për Front Online, ka deklaruar se dialogu tashmë ka hyrë në fazën e Asociaiconit.

“Tash dialogu ka hyrë në fazën e Asociacionit. Zbatimi i saj po kërkohet qartë si nga SHBA ashtu dhe BE-ja, Siç e dimë, kjo çështje e ka sjellë Kurtin në pushtet, ai duke e kundërshtuar Asociacionin mori përkrahje të madhe nga votuesit e tij”, ka thënë ajo.

Sipas Tahirit, Kurti e ka pranuar Asociacionin, por po e fsheh për shkak që nëse e bën këtë i humb zgjedhjet.

“Mirëpo tash ka ardhur koha që Kurti ta zbatoj Asociacionin, sepse e ka pranuar me pranimin e marrëveshjes bazike, ai e ka fshehur para opinionit këtë fakt pranimi deri më sot, por nuk po mundet më sepse partnerët ndërkombëtar hapur po kërkojnë zbatimin e Asociacionit. Ndërsa Kurti e di që nëse e zbaton i humb zgjedhjet; për Kurtin ma para është pushteti se shteti”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri, ka thënë se Kurti tashmë këtë e ka dëshmuar duke pranuar shumë marrëveshje, të cilat i ka kundërshtuar.

“E dëshmoi duke pranuar marrëveshjen pa njohje reciproke, duke pranuar asociacionin madje duke i dhënë autonomi pakicës serbe, i harroi premtimet ndaj militantëve të VV-së, se kurrë nuk shkon në dialog me Serbinë, pa kërkuar Serbia falje për gjenocid ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, i harroi të gjitha, e harroi madje edhe reciprocitetin për shqiptarët e Luginës së Preshevës që ju premtoi aq shumë”, ka shtuar ndër të tjera ajo.

Ajo, ka deklaruar se Kurti po synon ta zvarrisë zbatimin e Asociacionit deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale të radhës, me qëllim që t’i fitoj zgjedhjet.

“Kurti është në kërkim të shpëtimit dhe shpëtimin po e sheh duke kritikuar ndërmjetësit evropian në dialogun e Brukselit, madje kritikon dhe Amerikën etj. Përmes kritikave dhe ankesave që shfaqin dobësinë e shtetit dhe shkelin dinjitetin e Kosovës para botës, Kurti po synon ta zvarrisë zbatimin e Asociacionit deri në mbajtjen e zgjedhjeve nacionale të radhës, me qëllim që t’i fitoj zgjedhjet, ta marrë pushtetin përsëri dhe pastaj ta zbatoj Asociacionin menjëherë. Është ky një skenar i tij që do ta dëshmoj se pushteti është para shtetit për Kurtin”, ka deklaruar ndër të tjera Tahiri.

Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për Kosovën dhe Serbinë që të përparojnë në procesin e integrimit në Bashkimi Evropian.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE vitin e kaluar, ndërsa Serbia është vend kandidat nga viti 2012.