Jasharaj i reagon ASHAK-ut: Jeni në të njëjtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti

Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, i ka reaguar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, lidhur me një rekomandimin që dha dje rreth organizimit sindikal të mësuesve dhe arsimtarëve.

Rekomandimet e ASHAK’uterdhën pas dështimit në PISA.

Në rekomandimin e tretë të ASHAK thuhet se “organizimi sindikal i mësuesve dhe arsimtarëve duhet urgjentisht të depolitizohet dhe të mos jetë vendimmarrës në procesin arsimor. Sindikatat dhe këshillat e prindërve nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me ligjin”.

Sipas Jasharajt, deklarimi i Akademisë është në të njejtën linjë “me tendencat e Qeverisë Kurti”.

“Deklarimi juaj, si rekomandim, është në të njëtën linjë me tendencat e Qeverisë Kurti, që duke pasur mision të shuaj sindikatat, e veçmas SBASHK-un ngriti akuza me shpifje se jemi të atyre apo të këtyre. Kryesi e nderuar e ASHAK-së po të njihnit realitetin në Kosovë nuk do ta shkruanit pikën tre, as për hatër të Albinit sepse është urdhër për depolitizim e pa ndodhur kurrë politizimi. ASHAK kuptojeni se anëtarë në SBASHK janë të punësuarit në arsim, që nga çerdhet e deri në universitete, por edhe shumë nga institucionet e nderuara të kulturës”, ka thënë Jasharaj.

Në fund të reagimit, Jasharaj i është drejtuar me një apel ASHAK’ut.

“Këta të punësuar jetojnë në tërë territorin e Kosovës dhe janë votues të partive të ndryshme sipas vullnetit të tyre. Ata janë votues të partive të ndryshme, por në SBASHK jemi betuar të gjithë e e ruajmë unitetin duke u nisur nga Bashkë e në SBASHK. Unë, që të mos ju mbetem borxh në deklarime ju bëj apel që Ju të depolitizoheni sepse jeni mendja dhe dija e këtij vendi”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Akademia e Shkencave të Kosovës ka reaguar për gjendjen në arsim pas publikimit të rezultateve të Testit PISA. Për ASHAK kjo ishte e pritshme dhe se ky test ka nxjerrë në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë.

Ata kanë pasur kritika edhe për menaxhimin e sistemit arsimor, teksa vlerësuan që gjendja në këtë sektor është alarmante.

“Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) edhe më herët ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e rëndë në arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet. Para më shumë se dy vjetësh ASHAK hartoi një platformë, me anë të së cilës u përpoq të tërhiqte vëmendjen për gjendjen jo të mirë në arsim, në mësimdhënie dhe në mësimnxënie. Tani, ashtu sikundër pritej, testi i PISA-s nxori në sipërfaqe një vlerësim jo pozitiv për gjendjen e arsimit në Kosovë. Të gjithë në një mënyrë ishim të vetëdijshëm se kjo do të ndodhte, se situatën në arsim e kemi alarmante, vetëm se ne nuk duam të kuptojmë se, në një mënyrë ose në një tjetër, të gjithë jemi përgjegjës për një gjendje të këtillë: shoqëria dhe shteti; çdo organizëm shoqëror; të gjithë segmentet e tij; vetë sistemi arsimor, nxënësit, arsimtarët, prindërit, institucionet vendimmarrës dhe ligjzbatuese. Në emër të një demokracie të keqkuptuar, ne e kemi liberalizuar shkollën aq shumë, sa që sistemin arsimor e kemi bërë kaotik dhe e kemi kthyer në “ndërmarrje vullnetare”, me mundësi ndërhyrjesh nga të gjitha anët, duke harruar se sistemi arsimor është konvencional dhe se shkolla është detyrim”, thuhet në reagimin e tyre.