Kamberi: Koha do t’i konfirmojë temat e fjalimit tim në Kuvendin e Serbisë

Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë nga lista “Alternativa Demokratike e Shqiptarëve – Lugina e Bashkuar” (DAAUD), thotë se ai nuk ka pritur se do të ketë reagime me nervozë nga udhëheqja e shtetit ndaj deklaratave të tij lidhur me krimet e luftës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kamberi vlerësoi që është normë minimale e civilizimit që shteti të ketë detyrim moral dhe politik, që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi rastet e varrezave masive dhe që ndaj kësaj çështjeje të mbajë qëndrim të civilizuar.

Fjalimi i tij në Kuvendin e Serbisë nxiti një numër të madh reagimesh në opinion dhe në rrjetet sociale. Gjatë këtij fjalimi ai theksoi që një parlament të tillë nuk ka mundur ta prodhojë as Sllobodan Millosheviqi dhe vlerësoi se kjo është e trishtueshme për demokracinë.

Siç tha ai fjalimin e tij e nisi me fjalët: “Mirëdita, dobar dan!”, në mënyrë që ta përkujtojë kryeministren serbe, Ana Brnabiq për kërcënimet e të djathtëve ndaj organizatorëve të festivalit me të njëjtin sllogan, si dhe që në këtë mënyrë t’i ofrojë mbështetje festivalit.

Në fjalimin e tij, Kamberi ka bërë thirrje për ballafaqim me krimet e luftës dhe gjatë fjalimit ai është paralajmëruar që të mos përdorë fjalor të tillë, i cili, siç ka thënë kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, “nuk është për shembull”.

“Unë këto ditë, në Bujanoc kam biseduar me shumë serbë, të cilët e mbështesin fjalimin tim. Pra, fare nuk është problemi vetëm te shqiptarët. Unë kam thënë – problemi është që ky shtet po përpiqet të reduktohet në shërbim të vetëm një misioni, një partie dhe atyre që i përkasin një partie”, theksoi Kamberi në intervistën për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, qëndrimi ndaj pakicave është një provë e lakmusit të demokracisë dhe demokracisë së një shteti, por barra dhe detyrimi i demokratizimit dhe decentralizimit të Serbisë, siç theksoi Kamberi, i përkasin popullit shumicë dhe partive të popullit shumicë, të cilat duhet të nxjerrin në pah procesin e demokratizimit të Serbisë, harmonizimin e legjislacionit, standardeve dhe mendimit të lirë, me standardet e Bashkimit Evropian.

“Para së gjithash, unë nuk jam kurrfarë heroi. Jam vetëm një njeri që është zgjedhur që të përfaqësojë interesat e të gjithë njerëzve, të cilët të ardhmen e Ballkanit e shohin në integrimet evropiane”, tha Kamberi

Ai gjithashtu theksoi se nuk është i interesuar që të jetë ministër në qeverinë, betimi i së cilës përfundon me fjalët: “do të përkushtohem për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë brenda Republikës së Serbisë”.

“Kjo është e papajtueshme me logjikën tonë dhe me qëllimet tona politike dhe në asnjë rast, as unë personalisht dhe asnjë shqiptar, nuk do ta pranonte atë pozitë”, theksoi Kamberi.

A keni pritur që fjalimi i juaj drejtuar kuvendit do të kishte kaq shumë jehonë në opinion, para së gjithash, te përfaqësuesit më të lartë të shtetit?

Shaip Kamberi: Kam pritur reagime më të ashpra të deputetëve. Ashtu ishte me rastin e zgjedhjes së Ivica Daçiqit për kryetar të kuvendit, kur thash që nuk do të votoj për dikë që ka lidhje me krimet e luftës dhe më pas reaguan kolegët deputetë. Por, nuk kam pritur reagime me kaq nervozizëm të gjithë kreut shtetëror ndaj konstatimeve të mia të vërteta për krimet e luftës. Kam thënë që është normë minimale e qytetërimit që në rast se varrezat ekzistojnë, shteti ka obligim moral dhe politik që në procesin e integrimeve evropiane, të hedhë dritë mbi këtë dhe që ndaj kësaj çështjeje të marrë qëndrim të qytetëruar. Megjithatë, e vërteta dhemb dhe është e dukshme që në pushtet janë ato parti, të cilat janë në lidhje të drejtpërdrejtë me partitë që i kanë nisur luftërat në ish-Jugosllavi.