Klinaku: Një burrështetas i vërtetë, në këtë situatë do të jepte dorëheqje që mos ta dëmtojë vendin

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku i ka komentuar zhvillimet e fundit në veri, shkruan Fokusi.info.

Sipas Klinakut, një burrështetas i vërtetë, që nuk do të donte ta dëmtonte vendin e vet, nuk do të zgjidhte asnjërën nga këto të këqija, por do të jepte DORËHEQJE. E kështu do të duhej të vepronin edhe fituesit e zgjedhjeve të ardhshme derisa të kuptohet se Kosova nuk pajtohet me asnjërën të keqe. Në këto rrethana, dialogu do të ridizajnohej, do të balancohej dhe do të duhej të bisedohej edhe për të drejtat e shqiptarëve, sikur për të drejtat e serbëve.

Postimi i plotë:

Ta shikojmë të vërtetën në sy!

Kosova nodhet në një situatë mjaft të vështirë. Ka një kërkesë të konsoliduar ndërkombëtare për më shumë të drejta për serbët në Kosovë (veçanërisht në veri), përndryshe raportet me ndërkombëtarët do të përkeqësohen. Pozicioni i Kosovës është delikat dhe situata po bëhet gjithnjë më e nderë! Dhe nuk ka pasur se si të ndodh ndryshe! Derisa qeveritë e deritashme (duke përfshirë edhe qeverinë Kurti) kanë pranuar me mendjelehtësi një dialog të pabalancuar me Serbinë, ku është biseduar dhe është kërkuar zgjidhje, të drejta e privilegje vetëm për serbët e Kosovës, padrejtësisht janë harruar fare shqiptarët dhe të drejtat e tyre në Preshevë. Bujanoc e Medvegjë. Kështu i kemi krijuar Serbisë një përparësi të jashtëzakonshme.

Në këtë situatë, me fajin tonë, kemi mbetur para një dileme jetësore: Të dakordohemi me ndërkombëtarët dhe të bëjmë një asociacion me kompetenca shumë të zgjeruara (siç, padyshim, do të bënte opozita e tanishme PDK, LDK e AAK), apo të përballemi me ndërkombëtarët perëndimorë, madje duke rrezikuar edhe sanksione mjaft të ashpra (siç është duke bërë Albin Kurti).

Një burrështetas i vërtetë, që nuk do të donte ta dëmtonte vendin e vet, nuk do të zgjidhte asnjërën nga këto të këqija, por do të jepte DORËHEQJE. E kështu do të duhej të vepronin edhe fituesit e zgjedhjeve të ardhshme derisa të kuptohet se Kosova nuk pajtohet me asnjërën të keqe. Në këto rrethana, dialogu do të ridizajnohej, do të balancohej dhe do të duhej të bisedohej edhe për të drejtat e shqiptarëve, sikur për të drejtat e serbëve.

Por, derisa sa këta liderë e sollën vetë këtë situatë të parrugëdalje, a pritet që tash të veprojnë në përputhje me interesin e vërtetë të vendit? Kjo është pothuajse e pabesueshme! Dhe këtu qëndron e keqja!