KOSTT ndërpret pagesën e rrymës për katër komunat veriore, skadon marrëveshja gjashtëmujore me Qeverinë

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) ka ndërprerë mbulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Kjo është deklaruar në Komisionin për Ekonomi nga kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, i cili ka thënë se gjatë këtij muaji ka ndërprerë më ndarjen e mjeteve për shkak se ka përfunduar marrëveshja në mes të KOSTT dhe Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja kishte paraparë të lirojë Qeverinë e Kosovës nga pagesa e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës së katër komunave veriore.

Qeveria e Kosovës në bazë të marrëveshjes ka qenë e obliguar që brenda 6 muajve të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit konsumatorët e në katër komunat e veriut të Kosovës.

Qeveria, ndonëse ishte votuar një rekomandim i tillë në parlamentin e Kosovës, nuk ka përmbushur këtë rekomandim.

Kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, ndër të tjera ka thënë se që nga 2017-ta për pagesën e rrymës në katër komunat veriore shuma totale është 27 milionë e 806 mijë euro ku 10 milionë euro kanë nga Qeveria e Kosovës ndërsa mbi 17 milionë janë paguar nga KOSST-i.

Gjithashtu Mehmeti ka treguar edhe për gjendjen financiare të KOSTT-it, ku sipas tij, nëse nuk i kthehen mjetet financiare atëherë në 2024 do të ketë vështirësi financiare në operim.