KQZ fillon shpërndarjen e materialit zgjedhor, gjithçka nën përcjelljen e Njësisë Speciale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit të ndjeshëm zgjedhor që është i nevojshëm për zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen nesër.

Materiali i ndjeshëm zgjedhor ku bëjnë pjesë edhe fletëvotimet janë nisur nga depoja qendrore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të planit operacional dhe do të shpërndahen për në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në të 38 komunat e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Ndërkaq të dielën në mëngjes në orët e hershme materiali zgjedhor shpërndahet nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit në secilën prej komunave përkatëse.

I gjithë procesi i shpërndarjes së materialit të ndjeshëm zgjedhor u bë nën përcjelljen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.