Kush është i propozuari i Haki Abazit për ambasador në ShBA

Zëvendëskryeministri i dytë në Qeverinë e Kosovës, Haki Abazi, ka propozuar për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugollin, pas tërheqjes së ambasadores, Vlora Çitaku.

Zëvendëskryeministri i dytë në Qeverinë e Kosovës tha se personalisht do të kishte vendosur që ambasador në SHBA ta bënte diplomatin Ilir Dugolli.

“Është ambasador në Ankara momentalisht. Ai është një njeri profesionistë dhe meriton të përfaqësoj Kosovën në SHBA”, tha ndër të tjera Haki Abazi.

Por kush është Ilir Dugolli i propozuari i Haki Abazit për ambasador në SHBA?

Ilir Dugolli iu bashkua shërbimit diplomatik të Kosovës me grupin e parë të emërimeve pas Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Nga viti 2008 deri në 2013 ai shërbeu si Shef i Misionit / Ambasadori i Kosovës në Bruksel, duke përfshirë Belgjikën, Luksemburgun, BE dhe NATO. Nga 2013 deri në 2016 ai ishte Ambasadori i Kosovës në Suedi (jorezident për Norvegjinë, Finlandën, Estoninë, Lituaninë, Letoninë dhe Islandën), ndërsa midis vitit 2017 dhe fund të vitit 2019 ishte Drejtor për Politikat e Sigurisë dhe NATO në Ministrinë e Jashtme.

Midis 2002 dhe 2004, ai shërbeu si Këshilltar kryesor i Kryeministrit në qeverinë e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës dhe gjatë negociatave 2007-2008 për statusin e Kosovës ai ishte një ekspert ligjor i “Ekipit të Unitetit” të Kosovës.

Tani, Dugolli është ambasador i Kosovës në Turqi.

Kutojmw qw Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka propozuar shkarkimin e shtatë ambasadorëve politikë në mesin e tyre është edhe ambasadorja e Kosovës në Washington Vlora Çitaku.