Kuvendi kërkon krijimin e një Gjykate Speciale për krimet e Serbisë në Kosovë, i drejtohet Parlamentit Evropian

Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një rezolute do t’i drejtohet Bashkimit Evropian, përkatësisht institucioneve të saj, Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, ku do t’i kërkohet themelimi i një Tribunali Special për krimet e Serbisë në Kosovë.

Me këtë rast, Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Sherif Bilalli ka bërë një propozim lidhur me krimet e luftës ku kërkoi edhe krijimin e një rezolute, shkruan Gazeta Blic.

“Duke pasur parasysh lidhur me sanksionimin e krimet e Serbisë, nga shteti, nga ushtria dhe nga të gjitha aparatet e segmentit të Serbisë në Kosovë, është koha që të krijojmë një komision ad-hoc nga Kuvendi dhe të gjitha deklarimet publike të partive politike t’i shkrijmë në një rezolutë të përbashkët. Unë deri më tani u konsultova me kryetarin e Kuvendit para se me u konsultuar me të unë që nga e premtja kam pasur kontakte edhe me parti politike të cilët në parim kanë thënë se po jemi dakord që të fillojë një proces i tillë”, tha Sherifi.

Partitë politike e kanë mbështetur një rezolutë të tillë duke paraqitur edhe emrat e deputetëve të cilët do të marrin pjesë në këtë komision.Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se “Ideja nuk është vetëm të bëjmë rezolutë, ideja përmes kësaj rezolutë është të bëhen hapa, duhet të shkojmë në Këshill të Evropës dhe Parlament Evropian, ky Komision, duhet të krijohet një Tribunal Ndërkombëtar për krimet serbe. Edhe kjo gjithsesi është në nderin dhe dinjitetin e këtij vendi E keni mohimin e masakrave që po ndodh sot edhe kështu kanë me i mohu edhe mas 5 vjetë të gjitha.”