MPJ demantoi Daçiqin: S’ka tërheqje të njohjeve

Gjatë ditës së sotme, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq publikoi një dokument përmes së cilit pretendohej se Republika e Naurusë, një nga shtetet e para që kishte njohur Kosovën, ka tërhequr mbrapa këtë vendim. Këto pretendime të Daçiqit janë hedhur poshtë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Jetlir Zyberaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve Jashtëm në dorëheqje, Behgjet Pacolli, ka thënë për Reporterin se Serbia me anë të ryshfeteve po siguron dokumente të rrejshme për çnjohjen e Kosovës, nga vende të ndryshme.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës po punon përmes kanaleve diplomatike me gjitha shtetet. Kosova nuk bën komente për dokumentet dhe deklarata që shpallen nga Beogradi dhe që si në të kaluarën si në rastin e Republikës së Afrikës Qendrore ryshfetet janë përdorur për të lëshuar dokumente dhe për të bërë deklarata që janë hedhur poshtë nga qeveritë e veta më vonë”, ka thënë ai për Reporterin.

Zyberaj ka konfirmuar se Kosova dhe Republika e Naurusë vazhdojnë të kenë marrëdhënie diplomatike në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.

“Ne nuk kemi marrë asnjë komunikim dhe dy vendet tona kanë marrëdhënie diplomatike të vendosura në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, është shprehur ai.