Osmani thotë se burri i saj s’iu tha gazetarëve “ndërmarrje e përbashkët kriminale”

Presidentja Vjosa Osmani më në fund ka folur për deklaratat e bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu, i cili i quajti gazetarët “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Por, e para e shtetit e mohon kategorikisht një gjë të tillë duke thënë se statusi i bashkëshortit të saj në Facebook është nxjerrë nga konteksti dhe se fjala “ndërmarrje e përbashkët kriminale” nuk ka qenë për gazetarët.

“Ai [Prindon Sadriu] e ka bërë një qartësim dje i cili fatkeqësisht prapë ka dalë nga konteksti për dy arsye. Ai e qartëson shumë mirë që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat “ndërmarrje kriminale”. Është absurditet të mveshën fjalë që nuk janë thënë”.

“Flet për tri kategori të ndryshme – flet për ndërmarrjet kriminale që janë ndërmarrje kriminale dhe që nuk janë media, njerëzit që merren me reket që dhe flet për një kategori të tretë që janë gazetarët dhe “gazetarët”. Aty ka presje dhe “ndërmarrja e përbashkët kriminale” është kategori e ndarë nga gazetarët. Ai e ka qartësuar mbrëmë dhe e ka treguar shumë mirë respektin që ka për gazetarët e Kosovës. Unë për këto dy dekada që jam në politikë kam parë me sa shumë sakrificë punojnë shumë prej tyre e sa orë të gjata duhet të punojnë, ama nëse bëhet propagandë në raport me punën dhe dinjitetin tim unë si presidente më duhet të reagoj”.

Osmani, në një intervistë për televizionin publik, deklaroi se mediat s’kanë pasë dhe s’do të kenë aleat më të madh sesa vetë atë.