OVL UÇK kërkon nga Parlamenti Evropian shkarkimin e eurodeputetës, Viola von Cramon

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një konference për medie ka kërkuar nga Parlamenti Evropian shkarkimin e eurodeputetës Viola von Cramon, pasi që është e njëanshme, shkruan Fokusi.info

Hysni Gucati, kryetar i OVL UÇK-së tha se si Organizatë e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jemi thellësisht të prekur nga sjellja e paprecedent dhe politikisht jokorrekte e eurodeputetes Viola Von Cramon.

Kjo eurodeputete, ka kohë që e ka humbur paanshmërinë, korrektësinë dhe ekuilibrin politik, që do të duhej ta kishte një raportuese për Kosovën.

“Përderisa e gjithë bota ishte ngritur në këmbë për ta kundërshtuar iniciativën tonë legale dhe legjitime për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, për gjoja presion dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, kjo eurodeputete pa fije turpi, një ditë pas përfundimit të intervistimit të presidentit të shtetit tonë, i cili ka qenë edhe lider politik i UÇK-së, i vizitoi Dhomat e Specializuara”, tha Gucati.

Po ashtu, pa fije turpi, kjo eurodeputete vetëdeklaroi se prokurorët dhe gjyqtarët janë kinse njerëz profesionalë dhe nuk japin përgjigje në pyetje specifike, duke lënë të nënkuptohet shumë qartë se vizita e saj ka pasur qëllim specifik për këtë rast.

“Si Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, iu bëjmë thirrje institucioneve të Bashkimit Evropian, që vlerat demokratike dhe standardin evropian të demokracisë, të cilat i promovojnë që gjysmëshekulli, t’i zbatojnë edhe për parlamentarët e tyre”, theksoi Gucati.

Duke shfrytëzuar pozicionin e saj në Parlamentin Evropian, eurodeputetja Viola Von Cramon në vazhdimësi është munduar ta riformësojë skenën politike në Kosovë, me ndërhyrje e favorizime të paprecedent politik e juridik.

“Po ashtu, si Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kërkojmë nga Parlamenti Evropian, shkarkimin e zonjës Cramon, për shkak se është e njëanshme, e që minimalisht t’i hiqet funksioni i raportueses për Kosovën”, tha në fund Gucati./Fokusi.info/