Preket me koronavirus edhe një infermiere në QKUK

Në Klinikën Infektive të QKUK-së sot, më 08 prill 2020, gjenden të hospitalizuar 49 pacientë me COVID-19, në pritje të rezultateve janë 8 raste, si dhe janë testuar dhe kanë rezultuar negativë për COVID-19 gjithsej 3 raste.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë liruar 18 raste, të cilat janë testuar dhe kanë rezultuar negative për COVID-19.

Sipas Hotit, nga 49 raste të infektuar me COVID-19, 40 raste janë në gjendje stabile, 6 raste janë në gjendje të rëndë në trajtim me oksigjenoterapi dhe me përkujdesje intensive.

Kurse në Mjekimin Intensiv janë në gjendje kritike tre pacientë, prej të cilëve dy raste janë në ventilim mekanik.

Sa i përket stafit të Klinikës Infektive, sipas Hotit, dje është konfirmuar pozitiv për COVID-19 edhe një infermiere, duke çuar në 5 numrin e të infektuarve brendahospitalor.

“Pesë (5) infermieret e infektuara me COVID-19 janë në gjendje të mirë shëndetësore. Dy prej tyre janë në vetizolim dhe tri infermiere janë të hospitalizuara në Klinikë, prej të cilave njëra ka rezultuar negative në dy mostrat e fundit dhe për lirohet në shtëpi”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.