Qeveria nuk i siguroi tabletët – Shtyhet regjistrimi i popullsisë në Kosovë

Qeveria e Kosovës në shtator të këtij viti kishte marr vendim që regjistrimi i popullsisë në Kosovë të fillonte me 1 nëntor. Por, që nuk filloi sot.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Ilir Berisha, ka thënë se procesi nuk ka filluar për shkak të mungesës së tabletëve për regjistrim, të cilët do të duhej të siguroheshin nga Qeveria.

“Mbetet në fuqi vendimi për regjistrimin e popullsisë prej 1 nëntorit deri më 15 dhjetor. Ky është vendimi i fundit i Qeverisë. Tabletët ende nuk kanë ardhur. Jemi në pritje që t’i sigurojmë tabletët e më pas ne të dalim e të procedojmë me regjistrimin e popullsisë nëpër komuna”, tha ai për Radio Kosovën.

I pyetur nëse procesi i regjistrimit do të zgjasë për aq ditë sa do të fillojë me vonesë, kryeshefi i ASK ka thënë se për këtë duhet të pyetet Qeveria e cila merr vendime.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Sipas këtij regjistrimi, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte 1 milion e 773 mijë e 971 banorë.

Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë, të cilët kishin refuzuar procesin.