Rama me Stoltenberg: Vizita, afirmim i kujdesit ndaj Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka dalë në konferencë për mediat së bashku me sekretarin e përgjithshëm të NATO-së Jens Stoltenberg të cilin e ka falënderuar për vizitën. Rama tha se kjo vizitë është afirmim i kujdesit dhe vëmendjes së NATO-s ndaj Shqipërisë dhe rajonit.

“Një mik të vendit tonë, i cili e ka vizituar dhe më parë Shqipërinë dhe ka qenë në vijimësi i interesuar për zhvillimet në vendin tonë dhe rajon dhe mbështetës i palëkundur i procesit të integrimit euroatlantik të rajonit. Vizita e sekretarit të përgjithshëm përkon dhe me vitin e 10-vjetorit të anëtarësimit tonë në NATO dhe po ashtu është edhe një afirmim i vëmendjes së kujdesit ndaj Shqipërisë dhe ndaj rajonit. Kemi diskutuar për aspektet e bashkëpunimit dhe të kontributeve tona brenda NATO-s.

Më vjen mirë që kemi ndarë dhe përshtypjen se kudo ku kanë kontribuuar FA-të tona kanë shfaqur cilësi të spikatura profesionale dhe nga ana tjetër kemi diskutuar dhe për ecurinë e plotësimit të kushteve të një vendi anëtar të NATO-s për kontributin buxhetor për mbrojtjen. Dua t’i përcjell me këtë rast edhe publikisht familjeve të dy dëshmorëve tanë në misionin e NATO-s në Letoni edhe faktin e shprehjes së drejtpërdrejt të ngushëllimeve dhe të mirënjohjes nga ana e sekretarit të përgjithshëm. ishte një ngjarje tejet e rëndë për familjet, për familjen e madhe të FA-ve dhe për vendin tonë por edhe në të njëjtën kohë edhe një moment reflektimi lidhur me sakrificat e FA-ve tona dhe vlerën e paçmuar të kontributit tonë në NATO.

Patjetër sekretari i përgjithshëm është interesuar dhe për këtë moment të veçantë politik që po kalon vendi ynë, qoftë për aspektin e marrjes së rekomandimit pozitiv të KE pa kushte për çeljen e negociatave, qoftë dhe në aspektin e konfliktit politik që nuk i shërben vendit.

Në fund dua ta falënderoj dhe njëherë sekretarin e përgjithshëm. Është gjithmonë i mirëseardhur në Shqipëri. I kam kërkuar ndjesë për motin jo tipikisht për Tiranën dhe vendin në këto kohë, por ndoshta është ndjerë si në shtëpinë e tij”, deklaroi Rama.//Balkanweb/