Reagon Bahtiri pas marrjes së masave të reja nga Qeveria

Kreu i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, është treguar i ashpër me masat e reja që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Qeveria e Kosovës, sot ka miratuar vendime për masa të reja të luftimit dhe parandalimit të COVID-19.

Në mesin e këtyre vendimeve është edhe ndalimi i kufizimit të lëvizjes nga ora 21:00 deri në ora 05:00 edhe në qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore.

E në lidhje me këtë vendim, ka reaguar i pari i pjesës jugore të Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se qeveria do të duhej të konsultohej me të para se të marrë një vendim të tillë.

Postimi i plotë i Bahtirit, pa ndërhyrje:

Pohimet se Qeveria do të vendos ndalimin e qarkullimit të personave fizik nga ora 21:00 në Mitrovicë, janë shqetësuese për qytetarët.

Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që mos ta marrë vendim për vendosjen e kësaj mase, sepse situata me COVID-19 nuk mund të menaxhohet me këtë masë.

Unë i respektoj rekomandinet e IKShP-së kurdo që ato janë zyrtare, mirëpo kufizime të tilla për qytetarët e Mitrovicës nuk mund të merren pa u konsultuar me mua si kryetar komune.

Çdo kryetar komune e njeh situatën në të cilën ndodhen qytetarët e tij, dhe kryetari duhet ta jep pëlqimin përfundimtar.