SBASHK-u ultimatum Hekuran Muratit: Deri nesër ka afat të arsyetohet pse i ndali pagat

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj tha se SBASHK- u i ka kërkuar ministrisë që e udhëheq Hekuran Murati, që të lëshojë një arsyetim për mosekzekutimin e pagave.

“SBASHK-u i është drejtuar Ministrisë se Financave që të lëshojë arsyetimin se pse i kanë ndalë pagat. Deri nesër kanë afat, pastaj do të shohim hapat e mëtutjeshëm ligjorë që do t’i ndërmarrim”, deklaroi kreu i sindikatës.

Jasharaj kërkon angazhim nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

I pari i SBASHK-ut tha se shumica e mësimdhënësve janë në kredi, për çka ai ka dërguar një kërkesë nëpër institucionet bankare.

“Shumica e mësimdhënësve janë në kredi. Ne kemi marrë vendim që t’u dërgojmë bankave një kërkesë që të mos sanksionohen mësimdhënësit, pasi të njëjtit nuk kanë marrë paga për muajin shtator”, tha Jasharaj për Express.