S`ka shtrenjtim të rrymës, ZRRE i përgjigjet negativisht KESCO-s

Zyra e Rregullatorit për Emergji ka njoftuar se i ka kthyer përgjigje negative KESCO-s, pasi kjo e fundit kërkoi shtrenjtim të rrymës.

ZRRE thotë se ku vendim u mor pasi “për shkak të vendimit të Qeverisë për ndarje të subvencionit kanë pushuar rrethanat për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale të FSHU-së, respektivisht të tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët me të drejt të Shërbimit Universal”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se ZRRE ka pranuar aplikim për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU), ku theksohet mungesa e rimbursimit të mjeteve të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shumës prej 32.8milion eurove për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022.

ZRRE thotë se në përputhje me Rregullën për Përcaktimin e të Hyrave të Lejuara për FSHU-në, ka analizuar me kujdes aplikacionin e FSHU-së, dhe konstaton se ngjarja e jashtëzakonshme nuk ka qenë nën kontrollin e FSHU-së, dhe se mungesa e subvencionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të tejkalonte pragun e materialitetit prej 5% në të Hyrat e Lejuara Maksimale të FSHU-së, e cila do të hapte Shqyrtimin e Jashtëzakonshëm të tarifave për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.