Syla paralajmëron se do të publikohen dëshmi se si ministri i ri i Mbrojtjes kishte ndaluar shqiptarët që të festojnë dasmat me flamur

Gazetari dhe opinionisti, Valon Syla, ka thënë se Ministri i ri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka qenë njëri ndër pjesëtarët e KFOR’it norvegjez që në rrethinë të Obiliqit, nuk kanë lënë shqiptarët që të festojnë dasmat me flamur.

Me anë të një shkrimi në Facebook, Valon Syla ka paralajmëruar se në media do të publikohen dëshmi për ministrin Armend Mehaj, në lidhje me veprimtarinë e tij në kohë sa ishte pjesë e KFOR’it norvegjezë në Kosovë.

“KFOR’i Norvegjez, rrethin e Obliqit si kanë lënë as dasmat me i festu me flamur. Një prej tyre, ka qenë edhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Unë kam qenë gazetar i specializuar në përcjellje të KFOR’it. Së shpejti në media, do të publikohen dëshmi. Çlirimi i Albin Kurtit po vjen”, ka shkruar ai.

Ndryshe Armend Mehaj me profesion ushtarak, ka lindur në Kosovë, për të shërbyer më pastaj në ushtrinë norvegjeze.

Mehaj ka lindur në vitin 1981 në Kosovë dhe aktualisht jeton në Oslo, Norvegji. Në vitin 1999 i është bashkuar forcave të armatosura norvegjeze, për të shërbyer më pas në misione të ndryshme paqeruajtëse si në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad dhe Afrikën Qendrore.