Tri qëndrimet e AAK-së: Ligji i Pagave, Trusti dhe zgjedhjet serbe

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria nuk po merr siç duhet masa në krizën ekonomike, teksa i bëri thirrje ekzekutivit ta rrisë pagën minimale dhe ta sjellë në kuvend, ligjin e pagave.

Tahiri, tha se për AAK-në është brengë e madhe mos-reflektimi i Qeverisë që lidhet me Qeverinë, apo sipas tij, “fukarallëkun” që është problemi kryesor.

“Përderisa nocioni luftë ekonomike është duke u trajtuar gjithandej botës, në Kosovë, qeveria që ka shumicë absolute, e trajton problemin ekonomik dhe aspektin e varfërisë me prioritet zero. Janë dy kërkesa për ne: ngritja e pagës minimale, duhet të kalojë prej diskutimeve në tryeza në vendim të qeverisë. Kërkesa jonë është që qeveria të marrë vendim për pagën minimale. Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 400 euro”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit”.

“E dyta, ka të bëjë me legjislacionin që e rregullon këtë temë. Njëjtë për ligjin e pagave. Kanë mundësi me marrë vendime. Lufta ekonomike është nocion real që i cilit koncept po i afrohet BE-së dhe gjithandej botës. Ka një sjellje e zakonshme në një situatë të jashtëzakonshme. Në këtë aspekt si GP e kemi ngritur dhe do ta ngrisim në Kuvend”, deklaroi ai në një konferencë për media.

Ai po ashtu, tha se së pari Qeveria duhet të merret me pagën minimale dhe ligjin e pagave. Ndërkohë u shpreh, që të merren vendime të tipit të Trustit.

Këtë të fundit, Tahiri tha se AAK-ja e ka mbështetur.

“Po kthehem te aspekti kryesor. Gjendja ekonomike në vend nuk mbahet mend që ka qenë më vështirë dhe më keq. Për shkak të gjendjes, konfliktit global dhe mos-veprimit të Qeverisë. Kërkesa jonë është shumë e thjeshtë: rritne pagën minimale në 400 euro. Leni tryezat, sillne ligjin për pagave. Pastaj, merrni vendime të tilla, të tipit të TRUST-it që ne e kemi mbështet. Vlerësimi ynë për një vit-qeverisje është: Fjalë të bukura, zhurmë si me tupan, punët kërkah hiq. Me fjalë kërkush s’ia kalon, për punë faleminderit ditën e mirë.”.

Në pyetjen se a duhet të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë, deputeti Tahiri shtoi se qeveria duhet ta trajtojë seriozisht këtë temë.

Tahiri u shpreh se asnjë veprim nuk duhet të merret nëse Kosova nuk fiton diçka nga një temë e tillë.

“E para, qeveira duhet ta trajtojë këtë temë shumë seriozisht. Mos ta bie në panik. Duhet ta njoftojë parlamentin dhe GP, nëse thotë kundër, çka janë konsekuencat dhe të mirat, nëse thotë po, cka janë konsekuencat dhe të mirat. Në të dyja situatat duhet të veprojë. Nëse thotë jo, duhet të matet mirë. Mos ta le në ditën e fundit për Kuvend. Nëse po, tregom pse po dhe çka fiton Kosova? Asnjë veprim nuk duhet të merret nëse Kosova nuk fiton nga kjo temë”, shtoi ai.