Viti i shkëlqimit dhe rënies së shokut Kurti

Shkruan: Adri Nurellari

Viti që po lëmë pas përbën shkëlqimin dhe rënien shembullore të shokut Kurti dhe lëvizjes populiste Vetëvendosjes që ai ndërtoi. Mes shumë rrëmujave e zhvillimeve politike të vitit që kaloi, padyshim më i rëndësishmi ishte humbja e 63 për qind të votave nga Vetëvendosja, brenda vetëm tetë muajsh. Një shfryrje kaq e shpejtë e masive e tollombaces elektorale të 14 shkurtit, është një rast i rrallë, për mos të thënë i pashembullt mes vendeve të tranzicionit.

Në një farë mënyre kjo parti politike u bë viktimë e suksesit të saj, një pre e monstrumit që ajo vetë ndërtoi.
Ia ka dalë me sukses që për të siguruar pushtetin të damkosë e njollosë kundërshtarët duke ndërtuar pritshmëri të ekzagjeruara, aspirata të tepruara, duke toksikuar qytetarin e Kosovës me një frustrim e marraz të papërmbajtshëm për arritjet dhe aktorët e mëparshëm të Kosovës, që u fermentua masivisht dhe materializua në një tërmet elektoral më 14 shkurt.

Veprimtaria e kësaj organizate politike është lehtësisht e shpjegueshme edhe me literaturën tashmë të pasur që ekziston për partitë politike populiste. Shumica e elementeve që kanë përcaktuar studiuesit e fushës, identifikohen lehtësisht tek Vetëvendosja. Propaganda anti-establishment, për një shoqëri të ndarë në dy kampe antagoniste ku flitet për një popull të kulluar, për masat e nëpërkëmbura kundrejt elitës së kalbur apo kastës qeverisëse të shantazhuar. Pretendimi i përfaqësimit autentik të drejtpërdrejtë të zërit të popullit gjatë veprimtarisë politike. Përdorimi i demagogjisë në formën e akuzave të rënda e thirrje për dënime duke mobilizuar pakënaqësi e manipuluar masat. Në rastin e LVV-së akuzat për tradhti ndaj atyre qeveritarëve të shantazhueshëm për shkak të korrupsionit të tyre. Kanë një dekadë e gjysmë që Kurti dhe shokët e tij pretendojnë të jenë zërat autentikë dhe përfaqësuesit e vetëm të popullit të thjeshtë, patriotëve të zakonshëm dhe qytetarëve të ndershëm të injoruar nga elitat sunduese pro-globaliste dhe establishmentet e korruptuara. Këtu recetës populiste të LV-së i shtohen edhe thirrjet linçuese për ndëshkim apo hajnat në burg.

Një tjetër indikator populist është prania e një lideri karizmatik energjik me aftësi të mira komunikuese. Garimi me një ideologji të cekët e të thjeshtë dikotomike, ne-populli, ata pushtetarët. Ndërtimi i një grupimi laraman me njerëz të përkatësive e shtresave nga më të ndryshme të cilët i bashkon vetëm frustrimi dhe iluzioni e një përmbysje tabula rasa, mund të sjellë begatinë e menjëhershme e të shumë-kërkuar. Mirëpo elementi më karakteristik i Vetëvendosjes por edhe lëvizjeve të tjera politike populiste evropiane është padyshim fajësimi i elitave sunduese për të gjitha dështimet reale dhe të imagjinuara të shoqërisë. Pra iu thuhej qytetarëve që ata ishin shenjtorë, nuk kanë asnjë përgjegjësi individuale sepse edhe për problemet personale përgjegjësia kryesore ishte e qeverisë.

Rasti më eksplicit dhe i hidhur i kësaj qasje është mohimi apo anatemimi i gjithçkaje të bërë në Kosovë prej çlirimit vetëm për të fajësuar rivalët politik dhe për të kultivuar një pakënaqësi shpërthyese. Tashmë është e qartë se gjatë kësaj dekade të përfshirjes në politikë elektorale të Vetëvendosjes, kjo organizatë ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm në denigrimin dhe nxirjen e realitetit të Kosovës. Në qendër të kësaj fushate nihiliste të sterosjes së realitetit kosovar, ka qëndruar parulla, këta e kanë shkatërruar Kosovën këto 20 vjet, që ka ngjitur tek shumë qytetarë. Madje ky tregim politik arrin kulmin e vetë ku komunat e fituara të

Vetëvendosjes paraqiten si të çliruar, kinse 12 qershori i vitit 1999 nuk është asgjë përpara çlirimtarëve të Kurtit. Aq shumë është përmendur kjo shprehje e shkatërrimit të Kosovës në këto 20 vjet, në mënyrë konsistente e këmbëngulëse sa përnjëmend ka ngjitur tek opinioni i qytetarëve dhe është kapërdirë pa u përtypur si një e vërtetë. Mirëpo një reflektim i thjeshtë gjakftohtë, një këndvështrim në retrospektivë i historisë së Kosovës, nxjerr në pah sa gënjeshtër e shëmtuar ka qenë kjo ku është bazuar.
Së pari njëherë lufta e Kosovës është një ndër ngjarjet historike që ka marrë më së shumti vëmendje ndërkombëtare, për shkak edhe të përfshirjes së ShBA-ve dhe ndërhyrjes së NATO-s. Nuk e vë kush në dyshim që regjimi i Millosheviqit e ka lënë Kosovën të masakruar, shkatërruar, djegur, zbrazur e përdhunuar pas luftës. Janë fakte tashmë botërisht të pranuara shifrat e rënda të spastrimit etnik dhe krimeve të luftës të shkaktuara prej shtetit serb në Kosovë.

Mirëpo kjo e vërtetë e pakundërshtueshme historike, nuk e ka penguar Vetëvendosjen që të trillonte, e ndërtonte një perceptim të rremë, kinse Kosova ka qenë mirë para 20 vjetësh, por erdhën këta çlirimtarët dhe e shkatërruan. Me pak fjalë të thuash që këto 20 vjet këta e kanë shkatërruar Kosovën, në mënyrë të tërthortë deklarohet se Kosova ka qenë në gjendje të mirë pas luftës, por këta që erdhën pas luftës e shkatërruan atë që na kishte lënë trashëgim Millosheviqi. Thënë ndryshe propaganda e  suksesshme e Vetëvendosjes ka përbërë formën më efikase të relativizimit dhe apologjetizmit të krimeve serbe në Kosovë, për qëllime elektorale. Për të përdorur shprehjen e famshme të Oruellit, e kaluara u fshi, fshirja u harrua, gënjeshtra u bë e vërtetë.

Vetëvendosja, në pamundësi për të ofruar një alternativë më të mirë apo shpresë, vendosi që të mbjellë pakënaqësi, të bëj që qytetarët të ndihen të privuar e të zhgënjyer. Kjo mund të bëhej me narrativen rivalët politikë 20 vjet e kanë shkatërruar Kosovën ani pse gjatë dekadës së parë të lirisë së Kosovës, qeverisja ka qenë e ndërkombëtarëve. Ani pse faktikisht gjatë pesë viteve të para të jetës së saj politike, në qendër të kritikës së LV-së ka qenë i ashtuquajturi sundim neo-kolonialo-imperialist i UNMIK-ut si përgjegjës kryesor për gjendjen në vend, e jo partitë politike shqiptare.

Mirëpo tashmë pritshmëria e kultivuar dhe inflacionuar nga Vetëvendosje ka kapur kupën e qiellit, dhe të njëjtit qytetarë që u zhgënjyen me elitën paraardhëse po ftohen për të njëjtat arsye me elitën e re vetëvendosëse të Shën Valentinit.

Gafat apo gabimet e Kurtit gjatë qeverisjes kanë qenë të shumta dhe secila prej tyre ka pasur ndikimin e vetë tek humbja e 2/3-ve të votave brenda një viti. Kontribues në disfatën zgjedhore mund të konsiderohen dështimet me menaxhimin e pandemisë, mungesën e ndihmës ekonomike për të prekurit nga pandemia, ëndërrimet tradicionale anti-amerikane; mungesa e koherencës së qëndrimeve të LV-së, zmbrapsja nacionaliste duke hequr dorë nga premtimet e mëhershme për bashkim; mungesa e kurajës dhe paaftësia për tu përballur me problemet dhe sfida e vendit sikurse janë dialogu; paaftësia për të ndërtuar një ekip cilësor qeverisës; aferat e shumta korruptive në qeverisje lokale e qendrore të LV-së; spastrimet politike dhe emërimet partiake; gafat apo veprime të tija naive e qesharake si lider sikurse qe konkurrimi elektoral në Shqipëri; mbyllja e kufirit me Shqipërinë etj. etj.

Mirëpo faktori kryesor ngelet pritshmëria e jashtëzakonshme që ka kultivuar në kuadër të viteve. Prej vitesh ka nxitur një oreks të papërmbajtshëm tek qytetarët për një ndryshim të shpëj të pothuaj magjik sapo Vetëvendosja të vij në pushtet. Qytetarët i besuan përrallës së tij, mirëpo ngelen të uritur tashmë duan rezultate, duan që oreksi të përmbushet e shuhet me arritje konkrete. Sado që të investohet nga qeveria aktuale në propagandë, në ambalazh, qytetarët duhan produkt. Sado të ketë servila qeveria që thonë se mbreti është veshur me rroba të bukura, gjithnjë e më shumë qytetarë po e kuptojnë se mbreti është lakuriq. Për rrjedhojë nëse vitit që iku u nis me revolucionin elektoral të Vetëvendosjes, viti që po vjen do të vazhdojë me kundër-revolucionin. Sepse sikurse thoshte dikur gazetari politik Jacques Mallet du Pan për Revolucionin Francez: Revolucioni është si Saturni, gjithmonë i ha bijtë e vetë.