Ymeri thotë se PSD-ja s’e pranon autostradën e Dukagjinit

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, duke folur planet për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, ka thënë se partia që ai përfaqëson është kundër saj.

Ymeri tha se Republika e Kosovës nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të vazhdojë me ndërtimin e autostradave që po u kushton mundësive ekonomike të vendit.

“Sikur t’i investonim këto fonde në sektorin e energjisë, sot s’do të kishin kurrfarë problemi as për të ardhmen energjetike të Kosovës. Ose investimet në Bujqësi, sot, nëse nuk do të ishim eksportues, së paku s’do të importonim, ose në Arsim, besoj se do të kishim shkolla shumë më të afta që do t’i përgatisnin nxënësit e Kosovës të jenë në hap me kohën me zhvillimet në botë”, u shpreh Ymeri në Interaktiv të KTV-së.

Tutje, ai tha se autostrada e Dukagjinit është absolutisht e panevojshme dhe është një projekt jashtëzakonisht i shtrenjtë. “Më mirë të bëhen zgjerime e intervenime në rrugët aktuale. Projekti i autostradës është gabim shumë i madh që duhet stopuar”, tha ai, duke shtuar se edhe Nisma është kundër autostradës.

“Ne nuk e votojmë buxhetin i cili në përbërje ka planin për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, dhe nuk e mundësojmë ndërtimin e kësaj autostrade”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator, Ymeri tha se ky ekip u shpërbë “sepse ai [ekipi] për ne ka qenë i rëndësishëm për shkak të kompetencave që i ka pasur”.

“Synimi ynë ka qenë që procesi i dialogut t’i bartet Kuvendit. Ekipi i ka pasur kompetencat ekskluzive për mbarëvajtjen e dialogut dhe monitorimin e tij, si dhe në raportimin në Kuvend. Gjykata i ka shpallur këto kompetenca në kundërshtim me Kushtetutën. Por, unë prapë mendoj se kemi nevojë për një mekanizëm mbikëqyrës të dialogut. Qeveria, në mandatin e kaluar, e ka nënshkruar një marrëveshje që ishte në shpërputhje me Kushtetutën në 23 nene të saj. Pra, për sa i përket efektit politik, kur dialogu drejtohej nga kryeministrit, ndodhën përplasje të mëdha në Kuvend. Sikur të kishim një mekanizëm koncensual të përbërë nga të gjitha partitë, do të ishte ndryshe. Këtë e kundërshtoi kokëfortësia e dy subjekteve opozitare politike. Me 2/3 e votave të Kuvendit do të mund të ndryshonim Kushtetutën dhe të kishim një ekip negociator kushtetues”, theksoi deputeti i PSD-së, Visar Ymeri.