Arrestohet edhe Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është arrestuar nga Policia e Kosovës, bashkë me pesë aktivistë të kësaj partie, pasi kanë penguar konferencën për medie të kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.

Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ndryshe, aktivistët e kësaj partie, Bardh Ahmeti dhe Visar Perolli, kanë hyrë në vendin ku po mbahej konferenca, duke fshikëllyer drejt kryetares së Speciales.

“Nuk mund ta lejojmë të kalojë në qetësi, është përfaqësuese e një gjykate të padrejtë që nuk mund të sjellë qetësi, duan ta ndryshojnë historinë e luftës së Kosovës, duke e bërë si një luftë që ka ndodhë në mes të dy agresorëve, e jo si një luftë për liri”, thanë aktivistët e PSD-së.

Trendafilova tha se i vjen keq që nuk e kupton gjuhën shqipe për të ditur se çka thanë dy të rinjtë, megjithatë, i ka ftuar të njëjtit të kthehen në konferencë, për të bërë pyetje ndaj saj.