Dështimi i shtrenjtimit të rrymës nga ZRRE-ja, ministrja e Kurtit paralajmëron reduktime

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të reduktimeve me rrymë, ashtu siç ndodhi pas shpalljes së krizës energjetike për 90-ditë.

Ajo këto deklarata i ka bërë në një konferencë për media që mbajti të martën, pasi u pyet nga gazetarët për reduktimet që janë shfaqur ditëve të fundit, shkruan lajmi.net.

“Nuk jam e informuar që ka reduktime për shkak të mungesës së energjisë elektrike, mund të ketë për investime ose rregullime të rrjetit. Por duhet qartësuar që në gjendjen që e kemi aktualisht, për shkak të situatës së krijuar nga masa e përkohshme, mund të vijmë te destabilizimi ose reduktimet në momentin që do të kemi nevojë për import. Është shqetësim që e kanë ngritur operatorët e tregut”, ka thënë ministrja Rizvanolli.

“Janë pezulluar tarifat, edhe pas vendimit të Themelores dhe Apelit. ZRRE përgjegjëse për rregullimin e tregut, duhet të japin sqarimet e duhura. Vendimet e gjykatës kanë sjellë paqartësi, ZRRE është duke e trajtuar. Unë mund të them nga perspektiva e Ministrisë së Ekonomisë, është se kjo çështje do të ketë zgjidhje sa më shpejt që është e mundur. Vendimi nuk i ka shpallur tarifat të paligjshme, por ka shtyrë zbatimin e vendimit. Shpresoj shumë, që ky vendim të merret sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë ndër të tjera ajo.

Kjo është paraqitja e parë e Rizvanollit në konferencë që prej pezullimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e faturave të energjisë.