Haradinaj: Fqinj më grabitqar e më vrasës se shqiptarët nuk kishte askush

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ishte prezent në zbulimin e pllakës përkujtimore ne shënim të 100 vjetorit të Masakrës në Jabllanicë të Dushkajës.

Haradinaj tha se Jabllanica është vend i shenjtë sepse është vend i cilin ruan 100 vjet histori dhe flijime.

Më tej Haradinaj theksoi se ngjarja e Jabllanicës meriton kujdesin e historianëve dhe se ky kujdes meritohet si në Kosovë ashtu edhe jashtë Kosove në mënyrë që të sqarohet rruga jonë si popull dhe ardhja deri ku jemi sot

“Në mënyrë që duke e parë këtë rrugë, aleatët dhe armiqtë tonë por edhe populli jonë vet të dijnë që nuk ka qenë e lehtë, nuk ka qenë rastësi dhe nuk ka qenë pahiri që disa punë, disa zhvillime, disa procese kanë adresa”.

“Nëse i shihni gjitha luftërat e zhvilluara në Evropë, ne jemi më fatkeqët. Nuk ka popull tjetër që ka pasur fqinjë kaq grabitqar, kaq vrasës, kaq pa shpirt. Këtë e thotë e vërteta, këtë e thotë koha, nuk e them unë apo askush prej neve”.

Haradinaj tha se qysh nga fillimi i luftërave të Kosovës ka pasur shumë Jabllanica e shumë kodra sikurse kjo, por që tani janë në Serbinë e sotme, shqiptar që janë përzënë nga trojet e tyre e që gjysma e tyre kanë vdekur rrugës e gjysma kanë mbërritur aty ku kanë gjet strehë.

Ai tha se viti 1921 është viti i cili tregon se sa shumë është marrë nga shqiptarët, sa shumë i është bërë keq e sa e padrejta u është bërë shqiptarëve dhe se sa pak i është lënë.

Më tej Haradinaj tha se në këtë kodër në vitin 1999 ja kemi kthyer sadopak ato që i janë bërë këtij vendi, duke treguar se si kanë arritur që nga serbët të marrin një automjet tanke, i pajisur me top i cili ka pasur distancën e gjuajtjes në vijë ajrore mbi dy kilometra dhe sa pastaj me po atë automjet është bërë e mundur të përshëndetën forcat serbe nga po ajo kodër.

“Ka nga ata që mendojnë që Kosova e sotme është shpërblimi i duhur për shqiptarë, kjo është më së paku që ka mundur të t’iu mbes shqiptarëve në tokën e vet, në atdheun e vet dhe se nuk është kursyer askush as fëmijët, as burra, as gra, as pleq, askush hiç”.

“Sot vërtetë është diçka e vlefshme për tu bashkuar në 100 vjetorin e kësaj ngjarje”

Kujtojmë se më 9 Korrik të vitit 1921 herët në mëngjes gjithë burrat e fshatit u thirrën që të mblidhen në mes të fshatit, u bë bastisja e shtëpive nga armiku serb në mënyrë që të mos mbetej asnjë burrë brenda. Pas plaçkitjes filloi masakra ndaj popullit, masakra nisi me vrasjen e Osman Agës, kryetarit të komunës së Cërnjanit, pas shpine, nga gjashtëdhjetë meshkuj të lidhur pengë, të moshave nga 13 vjeç e tutje u dërguan jashtë fshatit dhe u pushkatuan të gjithë, shpëtuan vetëm dy nga ata të cilët mbetën nën kufoma dhe mbas disa ditësh të vrarët u varrosën në fshatrat përreth.

Pas masakrës së Jabllanicës, xhandarmëria serbo-malaziase u sulën drejtë Kralanit, ku vranë kryeplakun 60 vjeçar i cili ishte krejtësisht i vetëm e më pas plaçkitën e dogjën fshatin.