Kuvendi i Komunës së Prishtinës do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme

Kuvendi i Komunës së Prishtinës do të mbajë të enjten mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar lidhur me cilësinë e ajrit në Komunën e Prishtinës. Mbledhja do të fillojë në ora 15:00.

Këtë njoftim e bëri të ditur Agim Kuleta, kryesues i kuvendit komunal të Prishtinës në rrjetin social “Facebook”.

Ja postimi i tij i plotë:

Për shkak të gjendjes alarmante sa i përket cilësisë së ajrit, në koordinim me Kryetarin e Prishtinës Shpend Ahmeti, kam thirrë mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës për të diskutuar lidhur me këtë çështje që sot përbën shqetësimin kryesor për secilin prej nesh.
Çështja e ndotjes është një çështje shumë komplekse që kërkon angazhimin e secilit prej nesh, qoftë si institucione, qoftë si qytetarë. Është një çështje që kërkon qasje sistematike dhe masa shumëdimensionale. Prandaj, edhe duhet një koordinim i mirë i të gjitha institucioneve kompetente për ta adresuar sa më shpejtë dhe sa më drejtë këtë problem.
Mbledhja e KK të Prishtinës, bazuar në afatet e rregulluara me ligj, do të mbahet të enjten në ora 15:00.