Pse ne shohim dhe dëgjojmë vetëm të kaluarën?

Shkruan: Shukri Klinaku

PSE NE SHOHIM DHE DËGJOJMË VETËM TË KALUARËN? PRA, PSE NE NUK E SHOHIM DHE NUK E DËGJOJMË AS TË TANISHMEN?

Nëse para vitit 1844 (viti kur u inaugurua publikisht përdorimi i telegrafit) një mbreti i vije një raport mbi gjendjen në një fushëbetejë që gjendet 1000 km larg, atëherë në kohën kur mbreti e lexon raportin, gjendja në fushëbetejë mund të ketë rrjedhë krejtësisht tjetër. Për mbretin gjendja “live” është ajo që mbanë raporti, sepse informatë më të re nuk ka mundur të ketë. Për të qenë mbreti mirë i informuar mund të nisen shumë lajmëtarë, me disa orë ndërmjet. Në këtë rast, mbreti do të informohej më mirë, por brenda intervalit kohor prej se ndodhë një ngjarje dhe deri sa mbreti do ta lexonte raportin mbi të, rrugës do të kishte lajmëtarë që bartin lajme me përmbajtje krejt të ndryshme për fushëbetejën, të cilat herë do ta gëzonin, e herë do ta hidhëronin mbretin. Pra, sikurse shihet kualiteti i informatës do rritej sikur lajmëtarët të kishin shpejtësi dhe frekuencë më të madhe.

Sot lajmëtarët mbi ngjarjet publike nuk udhëtojnë me kali, as me tren; por me anë të pajisjeve teknologjike, këta lajmëtarë udhëtojnë me shpejtësi të dritës. Në këtë rast në gjuhën e operatorëve transmetues thuhet se informimi bëhet drejtpërdrejt ose “live”.

Por, çka është në të vërtetë një transmetim “live”, gjykuar nga aspekti fizik?

Kur themi se jemi duke pa një ngjarje me një transmetim të drejtpërdrejtë (live), në fizikë kjo kuptohet se ne jemi duke e pa ngjarjen me lajmëtarin më të shpejtë të mundshëm me teknikën që disponojmë sot, dhe vetëm kaq. Me fjalë tjera, ne kurrë nuk mund të shohim një ngjarje që zhvillohet në një vend tjetër drejtpërdrejt, në çastin e ndodhjes të saj. Kjo është kështu se lajmëtari që na informon (e që duhet të jetë material dhe vetëm material) ka nevojë për një kohë të caktuar deri sa të arrijë në cak – sado i shpejtë qoftë, sado e shkurtë qoftë rruga në të cilën e bartë informatën. Kur ne shohim se në distancën prej 3 m larg, një trup ka ndërruar ngjyrën e vet, atëherë kjo ka ndodhur 10 ns (10 nano sekonda) më parë.

E tanishmja për ne, ndodhë vetëm në ne; vetëm brenda trurit tonë! Të gjitha ato që ndodhin në rrethinën tonë kanë ndodhur më herët. Sesa më herët kanë ndodhur, varet se ku kanë ndodhur dhe me cilin lajmëtar kemi marrë vesh se ato kanë ndodhur, sepse të gjithë lajmëtarëve iu duhet kohë për të bartur lajmin.