Suarez është ‘shumë i nervozuar’ pas bisedës një-minutëshe me Koeman në telefon

Luis Suarez është një prej disa futbollistëve që do ta paguajë cmimin për poshtërimin publik 8-2 të Barcelonës nga Bayern Munichu.

Kontrata e 33-vjecarit do të ndërpritet pasi trajneri i ri, Ronald Koeman vendosi që të mos e përfshijë atë në planet për sezonin e ri, transmeton Periskopi.

Të hënën, sipas gazetës katalunase “SPORT”, Koeman telefonoi Suarezin për ta informuar pë vendimin e tij.

Telefonata zgjati më pak se një minutë dhe Suarez, të cilit iu tha se më nuk bën pjesë në planet e Barcelonës, nuk pati opsion tjetër vec ta pranojë vendimin.

Ai nuk kërkoi shpjegime të tjera duke përfunduar telefonatën.

Por Suarez, sipas shumë burimeve në Spanjë, nuk është aspak i lumtur.

“COPE” potencon se Suarez është shumë i nervozuar pas asaj telefonate. Ai nuk beson se telefonata një minutëshe është mënyra e duhur për ta trajtuar një lojtar i cili ka qenë pjesë e klubit për gjashtë vitet e fundit.

Sulmuesi beson se ka merituar një lamtumirë më dinjitoze, pasi u përjashtua me një telefonatë.

“SPORT” shton se Suarez gjithashtu mendon se është etiketuar padrejtësisht për atë që ndodhi në “Camp Nou” dhe frikësohet se mund ta dëmtojë reputacionin e tij si legjendë e Barcelonës.

Mos të harrojmë, Suarez është golashënuesi i tretë më i mirë në histori të Barcelonës, vetëm Lionel Messi (634 gola) dhe Cesar (232 gola) kanë shënuar më shumë për gjigantin katalunas.