Tahiri “thumbon” Vjosa Osmanin: Kosova nuk ka presidente

Ish-negociatorja e Kosovës në dialogun e Brukselit me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë në Pressing të T7 se Kosova nuk ka presidente.

Ajo kritikoi presidenten, Vjosa Osmani, duke thënë se “është e heshtur”.

Kjo pasi sipas saj e arriti postin e presidentes përmes një partie të vogël, duke u dominuar nga kryeministri Albin Kurti.

Por Tahiri thotë se e kishte pritur mirë zgjedhjen e Osmanit si presidente, pasi thotë se më parë ishte ofendim për Kosovën kur një “police u bë presidente”, duke iu referuar Atifete Jahjagës.

”Vjosa Osmani si një e shkolluar, krahasuar me policen që e bën presidente. Kosova ishte përmbysur kur një police e thjesht u bë presidente. Ka qenë ofendim i madh. Kur erdhi Osmani, më së pari na ktheu dinjitetin në shoqëri. Një profesoreshë si presidente e vlerësova. Por fatkeqësisht Vjosa u dominua nga pushteti absolut i Kurtit, pasi Vjosa e ka një parti të vogël. Tani kjo po i kushton sepse e ka mbyllur gojën sigurisht në kohën kur i thotë Kurti fol, ajo flet. Nuk kemi presidente fatkeqësisht”, ka thënë Tahiri.